UT vlerëson me Medalje Ari dhe Argjendi dy drejtues të Policisë së Shtetit

Universiteti i Tiranës ka nderuar me Medalje Ari dhe Medalje Argjendi dy oficerë të Policisë së Shtetit, Drejtuesin Altin Mena dhe Kryekomisarin Oliger Torba, të cilët kanë përfunduar me rezultate të larta programin “Master Ekzekutiv në Kriminalogji”. Ceremonia u zhvillua në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në prani të Drejtorit të Përgjithshëm, Drejtuesit Madhor Ilir Proda, dhe Rektorit të UT-së, Artan Hoxha.

Gjatë fjalës së tij, Proda vlerësoi arritjen akademike të dy punonjësve dhe theksoi rëndësinë e forcimit të kapaciteteve profesionale përmes shkollimit dhe trajnimeve. Ai bëri me dije se këtë vit, në Akademinë e Sigurisë, është hapur për herë të parë Masteri Shkencor “Siguria Publike dhe Hetimi i Krimit”, ndërsa janë rritur edhe kuotat për maturantë dhe punonjës policie.

Nga ana tjetër, rektori Artan Hoxha çmoi bashkëpunimin mes Policisë së Shtetit dhe Universitetit të Tiranës, duke e konsideruar edukimin e vazhdueshëm një vlerë të rëndësishme në forcimin e institucioneve të sigurisë.

Gjatë ceremonisë, oficerët e vlerësuar Torba dhe Mena shprehën mirënjohjen për mbështetjen institucionale, duke theksuar se përmes trajnimit dhe shkollimit të vazhdueshëm rritet cilësia e shërbimit ndaj qytetarëve.

Sipas Policisë së Shtetit, ky vlerësim është një dëshmi e profesionalizmit dhe angazhimit të punonjësve të saj në misionin për ofrimin e një shërbimi sa më dinjitoz dhe efektiv për publikun.




