Varroset në heshtje autori i tragjedisë në Kuman/ Asnjë familjar në ceremoni, bashkia merr përsipër funeralin

Është zhvilluar në heshtje dhe pa praninë e familjarëve ceremonia mortore e 80-vjeçarit Shefit Rrapaj nga fshati Kuman i Roskovecit, i cili dy ditë më parë vrau me armë zjarri bashkëshorten e tij, Dashuri Rrapaj, dhe më pas i dha fund jetës.
Sipas banorëve të zonës, varrimi është kryer pasditen e djeshme në varrezat e fshatit, ku kanë qenë të pranishëm vetëm 3-4 persona, kryesisht punonjës të shërbimeve funerale dhe të bashkisë. Asnjë nga 9 fëmijët apo të afërmit nuk ka marrë pjesë në ceremoni.
“Na thanë që e varrosën. Pashë makinën funerale dhe shkova. Ishin vetëm 3-4 veta dhe e çuan në fund fare. Nuk e prisnim kurrë. Ishin njerëz shumë të mirë, u habitëm të gjithë kur e dëgjuam”, shprehet një banor i zonës.
Banorët tregojnë se ngjarja ka tronditur komunitetin, ndërsa kujtojnë se ditët e fundit në fshat kishte prani të shtuar të policisë.
“Para disa ditësh kishte polici këtu, rrinte furgoni. Por kujt ia merrte mendja që do ndodhte kjo. Menduam mos kishte ndodhur ndonjë aksident”, thotë një tjetër banor.
Sipas drejtorit të ndërmarrjes publike në Bashkinë Roskovec, Arben Duka, janë bërë përpjekje të vazhdueshme nga policia për të bindur familjarët që të tërhiqnin trupin nga morgu, por pa rezultat. Në këto kushte, bashkia ka marrë përsipër organizimin e ceremonisë mortore.
Ndërkohë, vëllai i viktimës ka deklaruar për mediat se familja do të zhvillojë vetëm ceremoninë mortore për Dashurie Rrapajn, duke e konsideruar autorin si një person problematik dhe të dhunshëm.
Sipas tij, disa vite më parë 80-vjeçari kishte tentuar edhe vetëvrasjen, ndërsa konflikti që çoi në tragjedi dyshohet të ketë nisur disa ditë më parë për motive banale, pas një përplasjeje me djalin e kthyer nga emigracioni, ku viktima i kishte dalë në mbrojtje të birit.
Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje të rëndë që ka tronditur opinionin publik.




