Vdekja e 17-vjeçarit në Sarandë, reagimi zyrtar i ISHMT-së: Pajisja nuk ishte ashensor, por e improvizuar
Pajisja që shërbente si ashensor për transportimin e mallrave në lokalin e natës në Sarandë ku vdiq punonjësi 17-vjeçar, nuk është ashensor por pajisje e improvizuar për transport mallrash.
Kështu thotë Inspektorati Shtetëror i Mbikqyrjes së Tregut pas inspektimeve që bëri në lokalin e natës.
“Në lidhje me aksidentin e ndodhur mbrëmjen e djeshme datë 26.08.2023 në subjektin “Orange”, Sarandë, ku një i ri 17-vjeçar humbi jetën, Inspektorati Shtetëror i Mbikqyrjes së Tregut pasi ka kryer verifikimet në terren, informon se: Pajisja e përshtatur për transport mallrash nga subjekti, e cila ka pësuar defekt nuk është ashensor. Si rrjedhojë, ISHMT nuk ka kryer inspektime apo kontrolle pranë këtij subjekti, bazuar kjo në detyrimin e përputhshmërisë së instalimit të vendosur në shërbim nga personi përgjegjës, pasi nuk është brenda kompetencës ligjore të tij. ISHMT shpreh keqardhje për aksidentin tragjik dhe i shpreh ngushëllime të sinqerta familjes së të riut”, thuhet në njoftimin e IMSHT.
Kjo pajisje që shërbente si ashensor i lokalit për mallrat u këput duke zënë poshtë 17-vjeçarin Antonio Delilaj.
Sakaq policia bëri me dije se “në lidhje me ngjarjen e rëndë ku humbi jetën kamarieri, vetëm 17-vjeç në lokalin e natës “Orange Club” në Sarandë. Mësohet se eshtë këputur kavoja e ashensorit që përdorej për furnizimin e lokalit, duke zënë poshtë të riun.
Në pranga ka përfunduar montuesi i ashensorit ndërsa është shpallur në kërkim pronari i “Orange Club”, Spiro Iljadhi”, shkruhej në njoftim.