Vdekja e 3-vjeçarit pas ndërhyrjes kirurgjikale në klinikën dentare, Prokuroria nis hetimet
Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet në lidhje me vdekjen e 3-vjeçarit, pas ndërhyrjes kirurgjikale në klinikën dentare “Splendent”.
Ngjarja e rëndë u raportua gjatë ditës së djeshme, me gjyshin e të miturit që hodhën akuza në drejtim të mjekut Roland Xhaxho, se i ka dhënë narkozë të tepërt.
Mësohet se Prokuroria ka sekuestruar edhe kartelën mjekësore të të miturit. Prokuroria ka nisur hetimet për Ina Xhaxhon dhe Roland Xhaxhon, te akuzuar për veprën penale ‘Neglizhencë në trajtimin mjekësor’.
Njoftimi i Prokurorise:
Fëmija 3-vjeçar humb jetën pas trajtimit në klinikë, Prokuroria Tiranë nis hetimet për ‘Neglizhencë në trajtimin mjekësor’
Duke marrë parasysh ndjeshmërinë e madhe të opinionit publik për ngjarjen ku i mituri me inicialet B.S., humbi jetën pas trajtimit në një klinikë private, si dhe interesin e shtuar të medias në lidhje me këtë çështje, Prokuroria Tiranë dëshiron të informojë se:
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiskionit të Përgjithshëm Tiranë, mbi bazën e materialit të referuar nga Komisariati i Policisë Nr.4 më shkresën Nr.7057/k Prot të datës 04.10.2023, ka regjistruar më datë 05.10.2023 procedimin penal nr.6477 të vitit 2023, për veprën penale “Neglizhenca në trajtimin mjekësor”, parashikuar nga neni 96 i Kodi Penal.
Nga ana e prokurorisë, po vijon kryerja e veprimeve të tjera procedurale në lidhje me procedimin penal, me qëllim evidentimin e të gjitha rrethanave dhe shkaqeve të vdekjes së shtetasit.
Gjyshi i 3-vjeçarit ka thënë se nipi i tij nuk kishte asnjë problem shëndetësor ndërsa ka hedhur akuza ndaj mjekut të klinikës Roland Xhaxho.
I pikëlluar gjyshi i të miturit tregon se 3 vjeçari qëndroi në klinikë mbi 9 orë dhe në momentin që ka dalë, ka qenë në gjendje kome. Më pas i mituri është ndjerë keq, çka ka detyruar familjarët ta dërgojnë në spital, aty ku pas tre ditësh, hummbi jetën.
Familjarët hedhin akuza se 3-vjeçarit i është dhënë dozë e tepërt narkoze teksa kërkuan që mjeku Roland Xhaxho të dënohet.