Vdes në QSUT “i forti” i Vlorës/ Fotaq Zaharia, i dënuari për vrasje që fitoi betejën me Shtetin në Strasburg, në 2023-n bëri rekurs edhe në GJL: Kushte ç’njerëzore në burg
Fotaq Zaharia, i njohur edhe si “i forti i Vlorës” ka ndërruar jetë në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza”.
Lajmi është bërë i ditur nga Drejtoria e Burgjeve, ku sqarohet se Zaharia ishte shtruar në spital me isuficencë respiratore dhe po trajtohej që prej datës 16 Gusht 2024.
“I forti i Vlorës” po vuante një dënim prej 25 vitesh për vrasje.
NJOFTIM PËR SHTYP
Ndërron jetë në QSUT i dënuari Fotaq Zaharia
I dënuari Fotaq Zaharia, i lindur më 29 Maj 1960 në Vlorë, ka ndërruar jetë në orën 01:10 të datës 26 Gusht 2024 në Reanimacionin e QSUT. Zaharia ishte shtruar në spital me isuficencë respiratore dhe po trajtohej që prej datës 16 Gusht 2024.
I dënuari po vuante një dënim prej 25 vitesh për vrasje dhe ishte shtruar fillimisht në Spitalin e Burgjeve më 22 Korrik 2024. Përkeqësimi i gjendjes së tij shëndetësore kërkoi transferimin e tij në QSUT për kujdes të specializuar. Drejtuesit e Institucionit, Komisariati i Policisë Nr. 4 dhe Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve (SHKBB) janë njoftuar për hapat e mëtejshëm procedural.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve i shpreh ngushëllimet familjes!
Rekursi në Gjykatën e Lartë
Fotaq Zaharia, i dënuar me 24 vite burg, për tentativë vrasje, grabitje dhe pengmarrje, i njohur si ‘i forti i Vlorës’ në periudhën e fund viteve ’90 dhe fillim viteve 2000, kërkon lirinë nga burgu.
Përmes një rekursi në Gjykatën e Lartë, Zaharia pretendon se “mbajtja në kushte ç’njerëzore dhe degraduese, të papajtueshmërisë së gjendjes shëndetësore me burgimin, i rrezikon shëndetin dhe jetën”. Në janar të 2007 kur edhe u arrestua, rezultonte si një nga 10 personat më të kërkuar në Shqipëri.
Akuza më e rëndë ishte plagosja e shefit të krimeve në Vlorë, Gentian Musabelliu, të cilën e kreu bashkë me Armando Begën, shokun me të cilin ishte arratisur nga qelitë e paraburgimit të Vlorës në vitin 2000.
Fotaq Zaharia, u ndalua në banesën e vjehrrës së tij në Vlorë, dhe nga shkëmbimi i zjarrit me policinë, mbeti i plagosur, pas të cilës erdhën edhe përpjekjet e tij të vazhdueshme me drejtësinë vendase dhe ndërkombëtare.
Nën kushtet e arrestit, ai iu nënshtrua ndërhyrjeve spitalore për plagën në këmbë, por nuk u rikuperua plotësisht.
Zaharia mund shtetin në Strasburg
Në vitin 2015, Gjykata e Krujës urdhëroi kryerjen e një ndërhyrje të dytë kirurgjikale pasi pjesa metalike e vendosur në këmbë po e dëmtonte. Moszbatimi i vendimit shkoi në Gjykatën e Strasburgut, dhe në vitin 2016, kjo gjykatë urdhëroi përkohësisht ekzekutimin e e tij.
As në këtë rast, vendimi nuk gjeti zbatim, pasi mjekësia shqiptare pretendonte se e kishte të pamundur.
Çështja vijoi në Strasburg ku vitin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut, detyroi qeverinë shqiptare ta dëmshpërblente të dënuarin me 15 mijë euro, nga të cilat 13 000 për mbulimin e dëmit pasuror dhe jopasuror dhe 2000 euro, për kostot dhe shpenzimet.
VENDIMI PËR DËMSHPËRBLIMIN
VENDIM PËR EKZEKUTIMIN E VENDIMIT TË GJYKATËS EVROPIANE PËR TË DREJTAT E NJERIUT, DATË 9.12.2021, PËR ÇËSHTJEN “FOTAQ ZAHARIA KUNDËR SHQIPËRISË” (KËRKESA NR. 45022/16)
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 46 të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, ratifikuar me ligjin nr. 8137, datë 31.7.1996, “Për ratifikimin e Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore”, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 14, të ligjit nr. 115/2021, “Për buxhetin e vitit 2022”, të ndryshuar, me propozimin Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, datë 9.12.2021, për çështjen “Fotaq Zaharia kundër Shqipërisë”, kërkesa nr.45022/16, përfundimtar, në datën 9.12.2021, në shumën 13 000 (trembëdhjetë mijë) euro, për mbulimin e dëmit pasuror dhe jopasuror dhe 2000 (dy mijë) euro, në lidhje me kostot dhe shpenzimet, plus çdo taksë që mund të jetë e aplikueshme.
2. Vlera e përcaktuar si detyrim në pikën 1, të këtij vendimi, të konvertohet në lekë, në bazë të kursit të këmbimit të bankës ku depozitohen shumat, në datën e kryerjes së pagesës.
3. Vlera e përcaktuar si detyrim, në pikën 1, të këtij vendimi të depozitohet në një nga bankat e nivelit të dytë, në emër të kërkuesit Fotaq Zaharia, në vlerën që shteti shqiptar detyrohet, sipas vendimit përfundimtar të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, datë 9.12.2021.
4. Pagimi i shumës së depozituar, sipas përcaktimeve në pikën 3, të këtij vendimi, në favor të kërkuesit Fotaq Zaharia, të bëhet nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, pas paraqitjes së dokumentacionit të nevojshëm ligjor për kryerjen e pagesave nga buxheti i shtetit, brenda afatit 3-mujor nga dita, kur vendimi i Gjykatës është bërë përfundimtar.
5. Në rast mospagimi brenda afatit tremujor, të përmendur në pikën 4, të këtij vendimi, mbi shumën e mësipërme, paguhen interesa të thjeshta, të barabarta me kursin margjinal të huas së Bankës Qendrore Evropiane, gjatë periudhës së mospagimit, plus 3%.
6. Efektet financiare, të parashikuara për ekzekutimin e këtij vendimi, të përballohen nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit për vitin 2022.
7. Ngarkohet Ministria e Financave dhe e Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ