VENDOSNIN BASTE SPORTIVE NË KUNDËRSHTIM ME LIGJIN, PROKURORIA E FIERIT DËRGON NË GJYQ 4 PERSONA PËR “ORGANIZIMI I LOJRAVE TË FATIT NË KUNDËRSHTIM ME LIGJIN”

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Jurdiksionit të Përgjithshëm Fier, përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq 4 shtetas, për kryerjen e veprave penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojrave të fatit në kundërshtim me ligjin”, e kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 197 pg.1, dhe 25 i Kodit Penal, si dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” parashikuar nga neni 301 i Kodit Penal.
Në përfundim të hetimeve mbi procedimin penal nr.260, datë 14.02.2024 u arrit të dokumentohet veprimtaria e paligjshme që ushtrohej në qytetin e Lushnjes nga disa shtetas, në bashkëpunim, për organzimin dhe ushtrimin lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin. Kjo veprimtari ushtrohej në role të ndara si organizator dhe ushtrues të kësaj veprimtarie të paligjshme, duke pasur për qëllim nxjerrjen e përfitimeve monetare.
Më konkretisht, nga hetimi rezultoi se shtetasi B.O, posedues i një subjekti Bar-kafe, në bashkëpunim me bashkëtëpandehurit e tjerë shtetasit E.A, E.D, dhe Gj.M., vendosnin baste sportive për llogari të personave të tretë, kundrejt përfitimit të vlerave monetare. Këta shtetas, posedonin një numër të konsiderueshëm adresash online nëpërmjet të cilave bëhej e mundur vendosja e basteve sportive dhe nxjerrja e përfitimeve të paligjshme.
Gjithashtu, shtetasi B.O., gjatë konstatimit të kryerjes së veprës penale ka kryer veprime që kanë synuar fshjehjen e provave me qëllim për të vështirësuar dhe penguar zbulimin e veprës penale dhe të autorit të saj. Ndaj tij është ngritur akuza për kryerjen e veprës penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” parashikuar nga neni 301 i Kodit Penal.
Në këtë veprimtari të paligjshme rezulton të jetë përfshirë dhe shtetasi i mitur D.Ç., për të cilin, prokuroria ka zbatuar masën e shmangies sipas parashikimeve të Kodit të Drejtësisë Penale për të Miturit.