VLORË
Finalizohet nga Komisariati i Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, operacioni policor i koduar “Flames 2”.
Zbardhet djegia e qëllimshme e automjetit “BMW X5”, ngjarje e ndodhur 2 ditë më parë.
Identifikohet, kapet dhe vihet në pranga autori i dyshuar, me precedent penal për vjedhje me armë.
Strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Vlorë, të mbështetura nga inteligjenca informative dhe si rezultat i provave të siguruara nga veprimet e thelluara hetimore për zbardhjen e rrethanave të djegies së automjetit “BMW X5”, më datë 02.03.2024, organizuan dhe finalizuan në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, operacionin policor të koduar “Flames 2”, në kuadër të të cilit u vu në pranga për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, shtetasi:
G. M., 42 vjeç, banues në Vlorë, me precedent të mëparshëm penal për vjedhje me armë.
Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas, mbrëmjen e datës 02.03.2024, në lagjen “24 Maji”, ka djegur me lëndë djegëse automjetin tip “BMW X5”, në pronësi të shtetasit A. S., për shkak të konflikteve të vazhdueshme me këtë shtetas, pas vjedhjes me armë në banesën e vjehrrit të tij.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.