Videoja e dh*nës ndaj 17-vjeçares në Fier, flet tezja: “E kërcënuan se do ta vrisnin nëse tregonte”

Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me rastin e rëndë të dhunës ndaj një 17-vjeçareje në Fier, videoja e së cilës u bë virale në rrjetet sociale. Sipas familjarëve, ngjarja ka ndodhur rreth një muaj më parë, por institucionet përkatëse nuk kishin marrë masa në kohë, pavarësisht denoncimit.
Tezja e të miturës ka rrëfyer se vajza kishte heshtur për shkak të kërcënimeve të vazhdueshme nga autoret e dyshuara, dy 15-vjeçare dhe një 19-vjeçare, të cilat i kishin thënë se do ta vrisnin nëse do t’ia tregonte ngjarjen familjes ose policisë.
“Dua që kjo çështje të mos lihet pas dore. Isha unë që e pashë videon dhe bashkë me motrën time shkuam në komisariat për të bërë denoncimin. Vajza nuk tregonte, sepse e kishin kërcënuar. I kishin thënë: ‘Nëse tregon në shtëpi, nesër do të vish sërish në kurs dhe ne do të të vrasim’”, u shpreh ajo.
Sipas saj, vetëm gjatë marrjes në pyetje në polici, 17-vjeçarja ka rrëfyer atë që kishte përjetuar, pasi më parë kishte qenë e paralizuar nga frika.
Tezja tregoi se e reja njihte njërën prej vajzave, e cila e kishte ftuar me premtimin se do t’i bënte një surprizë. Më pas e kishte dërguar në banesën e një 19-vjeçareje, ku ndodheshin edhe dy vajza të tjera.
“Në atë shtëpi ndodhi gjithçka që shihet në video. Kur pamë dhunën që i ishte ushtruar dhe shenjat që kishte në trup, ishte një pamje tronditëse. Deri tani, vajzat nuk janë ballafaquar me mbesën time dhe as nuk janë thirrur”, deklaroi tezja e 17-vjeçares.
Rasti ka shkaktuar reagime të forta në opinionin publik, ndërsa pritet zbardhja e plotë e rrethanave të ngjarjes dhe vijimi i hetimeve nga organet kompetente.




