Vidhet vula e KZAZ në Gjirokastër, Prokuroria nis hetimet

GJIROKASTËR – Prokuroria e Gjirokastrës ka nisur hetimet pas denoncimit për vjedhjen e vulës së KZAZ-së në Dropull. Ngjarja është kallëzuar nga shtetasi Th. K., 36 vjeç, banues në fshatin Bularat, i cili është sekretar i qendrës së KZAZ-së në fshatin Grapsh.
Sipas njoftimit zyrtar të policisë, më datë 21 prill 2025, rreth orës 20:30, shtetasi Th. K. ka konstatuar mungesën e vulës dhe menjëherë ka bërë kallëzimin përkatës. “Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Dropull-Libohovë referuan materialet në Prokurori dhe vijojnë hetimet për zbardhjen e rastit”, thuhet në deklaratën e policisë.
Hetimet janë në fazë paraprake dhe nuk dihen ende rrethanat e sakta të zhdukjes së vulës, e cila ka një rëndësi të veçantë në proceset zgjedhore dhe administrimin e dokumentacionit zyrtar.