Vihen nën kontroll pas 10 orësh, vatrat e zjarrit në Libofshë.
Vatrat e zjarrit në Libofshë janë vene nën kontroll pas 10 orësh. Megjithate era e fortë përbën rrezik për riaktivizimin e tyre duke detyruar zjarrfikësit të qëndrojnë në terren me automjetet në gatishmeri.
Zjarri nisi paraditen e së premtes në ullishtat pranë fshatit duke rrezikuar shtëpi dhe kishën. Me ndërhyrjen e zjarrfikësve dhe ndihmën e vetë banorëve vatrat pranë shtëpive u izoluan shpejt por ndërkohë kodra me ullinj u përfshi nga flakët.
Nga një bilanc paraprak mësohet se janë djegur 7700 rrënjë ullinj dhe një objekt i pa banuar. Sipërfaqa e djegur nga zjarri është rreth 31 ha.
Ky është zjarri i dytë brenda disa javësh në Libofshë. Në terren për shuarjen e flakëve u angazhuan 50 efektivë me 8 automjete zjarrfikës si edhe banorë të zonës.