Vijon beteja me flakët në Vlorë, kryetari i bashkisë, Dredha: Zjarri është vendosur nga një dorë njeriu!
Kryetari i Bashkisë së Vlorës Ermal Dredha ka folur mbi situatën e zjarrit masiv në fushën e mbetjeve në qytetin bregdetar, duke shpjeguar se të gjitha mjetet dhe forcat njerëzore janë vendosur në gatishmëri për shuarjen e flakëve.
Megjithatë ai u shpreh se era e fortë ka vështirësuar punën e autoriteteve dhe ka favorizuar përhapjen e tymit në qytet.
“Zjarri është vendosur nga dorë njeriu, e qëllimshme apo jo nuk mund ta themi, por është dorë njeriu pas zjarrit. Më parë kemi patur temperatura edhe më të larta dhe nuk kemi patur këtë situatë”, u shpreh Dredha.
Ai kërkoi edhe ndihmën e organeve ligjzbatuese për të vënë para përgjegjësisë personat që shkaktojnë situata zjarresh.
Dredha ka njoftuar po ashtu se për landfillin e Sherishtes është firmosur një vendim përmes të cilit i kalon Ministrisë së Mjedisit dhe agjencisë përkatëse (AKEM) dhe për rrjedhojë lidhet një kontratë me bashkinë e Vlorës mbi përfundimin e punimeve. Kjo i jep Bashkisë së Vlorës administrimin e këtij landfilli.
Dredha u shpreh se shpreson që gjithçka të mbyllet sa më shpejt me qëllim që në fushën e mbetjeve të mos ketë situata të ngjashme me zjarrin e fundit.