Viti i keq i ullirit! Në Fier ka më pak prodhim, pritet rritje e çmimit të vajit (Video)
Në zonën e Cakranit në Fier, sapo ka filluar sezoni i vjeljes së ullirit dhe fermerët i janë drejtuar fabrikave të vajit të ullirit që këtë vit presin të prodhohet më pak.
Vëllezërit Taulant dhe Klodjan Musaraj sot e kanë ditën e parë të punës në fabrikën e tyre.
“Përgjatë gjithë vitit kemi grumbulluar vajin e mbetur stok të fermerët e zonës dhe këtë sezon duke parë kërkesat e mëdha për vaj në tregun vendas dhe atë të huaj ne kemi rritur kapacitetin e përpunimit por njëkohësisht dhe të cilësisë, falë edhe lehtësimit të procedurave dhe dokumentacionit për certifikimin e produktit shpresojmë që këtë sezon t’i vijmë në ndihmë fermerëve për shitjen e ullirit dhe të vajit në fabrikë”, tregon Taulanti.
Edhe pse njihet si një nga zonat me prodhimtarinë me të lartë të ullirit, ku më shumë se 90% e familjeve merren vetëm me kultivimin dhe përpunimin e tij, ka prej tyre që sivjet nuk do të sigurojnë as nevojat e tyre për konsum shtëpiak.
Në zonën e Cakranit janë më shume se 410 mijë rrënjë ullinj dhe 9 fabrika vaji të përpunimit të ullirit. Vitin e kaluar, sasia e prodhimit të ullirit shkoi në 100 mijë kuintal ullinj, duke dhënë një sasi prej 10 mijë ton vaj ulliri. Tregu i shitjes dhe çmimi kanë rritur edhe zhvillimin ekonomik të familjeve të kësaj zone.
Top Channel