Vlorë – Arrestohet një i dyshuar për vjedhje banesash dhe automjeti në Fitore, dy të tjerë në kërkim

Vijojnë operacionet e Policisë së Vlorës për goditjen e krimeve ndaj pronës. Si rezultat i hetimeve intensive, është arrestuar një shtetas dhe janë shpallur në kërkim dy bashkëpunëtorë të dyshuar, të cilët akuzohen për vjedhje në disa banesa dhe një automjet në fshatin Fitore, Novoselë.
Sipas njoftimit zyrtar, është vënë në pranga shtetasi:
• E. B., 31 vjeç, banues në Fitore
Ndërkohë, në kërkim janë shpallur:
• G. S., 28 vjeç, dhe M. Z., 30 vjeç, banues në Fitore
Nga hetimet dyshohet se mëngjesin e datës 17 mars 2025, tre të dyshuarit kanë hyrë me forcë në tre banesa, dy prej të cilave i përkisnin shtetasve që jetojnë jashtë vendit. Po ashtu, ata kanë vjedhur edhe një automjet tip “Land Rover”, i cili është gjetur dhe sekuestruar nga policia si provë materiale.
Ndërkohë, vijon puna për kapjen e dy personave të shpallur në kërkim dhe dokumentimin e rasteve të tjera ku ata mund të jenë përfshirë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë për hetime të mëtejshme.