Vlorë – Finalizohet operacioni “Explosion”, sekuestrohen armë dhe lëndë eksplozive, arrestohet 57-vjeçari

Vlorë – Policia ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Explosion”, duke sekuestruar 3 armë zjarri dhe një sasi lënde eksplozive plastike të ndarë në 10 kallëpe. Në pranga ka rënë një 57-vjeçar, i cili dyshohet se i mbante të fshehura për llogari të grupeve kriminale.
Operacioni u zhvillua nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda dhe Seksioni për Mbështetjen Operacionale të Hetimit në DVP Vlorë, bazuar në të dhënat e siguruara nga inteligjenca policore.
Gjatë kontrollit në fshatin Gorrisht, Selenicë, lagjja Rexhepaj, shërbimet policore arrestuan në flagrancë shtetasin Xh. S., 57 vjeç, banues në këtë zonë. Gjatë kontrollit në banesën e tij, u gjetën dhe sekuestruan:
• 3 armë zjarri, të fshehura në një çantë;
• 10 kallëpe lëndë eksplozive plastike, gati për përdorim.
Sipas hetimeve paraprake, armët dhe eksplozivi dyshohet se do të përdoreshin për aktivitete të paligjshme nga grupe kriminale.
Nën drejtimin e Prokurorisë, hetimet vijojnë për të zbuluar persona të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet procedurale i kanë kaluar organit të akuzës për veprime të mëtejshme ligjore.