Vlorë – Finalizohet operacioni policor “Trails”, goditet rrjet kriminal i shpërndarjes së drogës dhe shfrytëzimit për prostitucion

Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Trails”, pas një hetimi të gjatë me metoda speciale. Operacioni u zhvillua nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Prokurorinë e Vlorës, dhe çoi në ekzekutimin e 4 masave sigurie ndaj personave të përfshirë në veprimtari kriminale.
Në pranga ka përfunduar shtetasi A. T., 39 vjeç, për të cilin u caktua masa “arrest në burg” për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Ai ishte arrestuar më parë edhe në kuadër të operacionit “Tabacchino”, pasi dyshohej si shpërndarës i lëndëve narkotike kokainë dhe kanabis, në dy subjekte tregtare në qytetin e Vlorës.
Gjithashtu, u caktua masa “arrest në shtëpi” për tre shtetase:
• J. B., 40 vjeçe,
• O. A., 27 vjeçe,
• E. H., 28 vjeçe,
të akuzuara për veprat penale “Prostitucioni” dhe “Shfrytëzimi i prostitucionit”.
Nga hetimet e kryera dhe provat e siguruara (përfshirë pamje filmike), dyshohet se shtetasi A. T. u siguronte lëndë narkotike këtyre shtetaseve dhe klientëve të tyre, kryesisht kokainë. Ndërkohë, shtetaset J. B. dhe O. A. jo vetëm që ushtronin prostitucion, por shfrytëzonin edhe shtetasen E. H. për këtë veprimtari të paligjshme.
Policia e Vlorës njofton se hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në rrjetin e prostitucionit, si dhe për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.
Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.