Vlorë – Kapet autori i tre vjedhjeve, në pranga 33-vjeçari

Vlorë, 30 maj 2025 – Vijon puna e strukturave të Komisariatit të Policisë Vlorë për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë.
Specialistët për Hetimin e Krimeve, pas marrjes së disa kallëzimeve nga qytetarë për vjedhje në lagje të ndryshme të qytetit, organizuan menjëherë punën hetimore për identifikimin dhe kapjen e autorit. Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe të koordinuara, u bë i mundur arrestimi i shtetasit E. S., 33 vjeç, banues në Vlorë, i dyshuar për kryerjen e tre vjedhjeve:
- Më 29 maj 2025, në lagjen “Osman Haxhiu”, dyshohet se ka vjedhur 2 televizorë, me një vlerë prej 100 000 lekësh, nga lokali në pronësi të shtetasit F. Xh.;
- Më 23 maj 2025, në lagjen “Lirim”, ka vjedhur 2 televizorë, 3 laptopë dhe 2 celularë, në ambientet e zyrës së shtetasit K. K.;
- Më 24 maj 2025, në lagjen “28 Nëntori”, ka vjedhur baterinë dhe pajisje polumbari me një vlerë prej rreth 30 000 lekësh, nga një automjet.
Policia po vijon hetimet për të dokumentuar edhe raste të tjera vjedhjesh ku dyshohet se mund të jetë i përfshirë ky shtetas.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Vjedhja”.