VLORË – Ndërhyrje e shpejtë shpëton shtetas të huaj nga rreziku në det, pranë ishullit të Sazanit

Gjatë mbrëmjes së sotme, një ndërhyrje e koordinuar mes Policisë Kufitare të Vlorës dhe Rojës Bregdetare ka shpëtuar jetën e disa shtetasve të huaj, të cilët ndodheshin në rrezik në afërsi të ishullit të Sazanit.
Veliera me flamur të huaj, e nisur nga Italia me destinacion Kroacinë, pësoi defekt në motor teksa lundronte pranë ishullit, duke rrezikuar përmbytjen për shkak të dallgëve dhe afërsisë me shkëmbinjtë. Menjëherë pas sinjalizimit nga Qendra Ndërlidhëse për Operacionet Detare, autoritetet shqiptare ndërhynë në kohë rekord.
Falë reagimit të menjëhershëm, u bë i mundur shpëtimi i personave në bord, të cilët ndodheshin në gjendje të mirë shëndetësore. Veliera u tërhoq më pas drejt SPK Triport, Vlorë.
Policia Kufitare e Vlorës thekson se do të vijojë të garantojë sigurinë e qytetarëve dhe turistëve në hapësirat detare, duke ofruar ndihmë të menjëhershme në çdo situatë emergjente.