Vlorë / Parandalohet një ngjarje e mundshme kriminale në “Uji i Ftohtë”, arrestohet 39-vjeçari me armë zjarri

Ndërhyrja e menjëhershme e strukturave të Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë ka parandaluar një ngjarje të mundshme kriminale në lagjen “Uji i Ftohtë”.
Mbrëmjen e djeshme, pas një njoftimi për konflikt në ambientet e një lokali, shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë me shpejtësi për të shmangur përshkallëzimin e situatës.
Si rezultat, u kap në flagrancë shtetasi A. Sh., 39 vjeç, banues në Vlorë, i cili sapo ka konstatuar praninë e Policisë, ka tentuar të fshehë në një lulishte një armë zjarri pistoletë me krehër me fishekë, që e mbante me vete.
Nga hetimet paraprake dyshohet se 39-vjeçari ishte konfliktuar për motive të dobëta me shtetasin B. J., 30 vjeç, banues në Vlorë.
Arma e zjarrit me municion u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, ndërsa materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Policia e Vlorës thekson se mbetet e angazhuar maksimalisht për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, duke reaguar me vendosmëri ndaj çdo rasti që cenon qetësinë e qytetarëve.




