Vlorë – Plagosi me thikë një 30-vjeçar, arrestohet autori dhe një tjetër i përfshirë në konflikt

Policia e Vlorës ka vënë në pranga autorin e plagosjes me thikë të një 30-vjeçari, si dhe një tjetër shtetas të përfshirë në konfliktin që ndodhi mbrëmjen e 10 nëntorit 2025, në lagjen “24 Maji”.
Falë veprimeve të shpejta hetimore të kryera nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, u bë e mundur arrestimi në flagrancë i:
• E. L., 32 vjeç, banues në lagjen “24 Maji”, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje”, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”;
• A. L., 23 vjeç, banues në të njëjtën lagje, për veprat penale “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Moskallëzim i krimit”.
Hetimet treguan se dy të arrestuarit kishin pasur më parë një konflikt për motive të dobëta, të cilin nuk e kishin kallëzuar. Përshkallëzimi i mosmarrëveshjes çoi në përplasjen fizike, gjatë së cilës E. L. goditi me thikë në kraharor dhe në qafë shtetasin B. S., 30 vjeç, i cili aktualisht ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Gjatë kontrolleve të ushtruara, në banesën e E. L. u gjet një armë gjahu pa leje dhe një thikë, e dyshuar si e përdorur në ngjarje, ndërsa në automjetin e A. L., me të cilin ai kishte transportuar të plagosurin drejt spitalit, u sekuestrua një tjetër mjet prerës.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme hetimore.




