Vlorë – Policia godet një sërë veprash penale, nga droga e armëmbajtja te dhuna në familje dhe shkeljet mjedisore

Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë njofton se gjatë 24 orëve të fundit janë kryer disa procedime dhe arrestime në kuadër të luftës kundër paligjshmërisë në territorin e qarkut.
🔹 Në Himarë, u procedua penalisht shtetasi M. V., 20 vjeç, banues në Orikum, pasi gjatë kontrollit në automjetin e tij u gjet dhe u sekuestrua një sasi lënde narkotike kanabis.
🔹 Në Vlorë, u procedua shtetasi A. H., 33 vjeç, pronar i një “Farmacie Bujqësore”, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në bashkëpunim me AKU dhe DVKT Rajoni Jugor, u gjetën produkte herbicide/pesticide të ndaluara për përdorim në territorin shqiptar.
🔹 Po në Vlorë, u arrestuan:
- E. B., 25 vjeç, banues në Fier, pasi iu gjet në automjet një armë e ftohtë (thikë);
- A. T., 20 vjeç, banues në Vlorë, për dhunë fizike dhe psikologjike ndaj nënës së tij.
Gjithashtu u:
- shpall në kërkim shtetasi M. M., 18 vjeç, banues në Vlorë, i dyshuar për vjedhjen e një motoçiklete në fshatin Delisuf;
- procedua penalisht shtetasi M. G., 66 vjeç, për punime pa leje në një objekt në “Ujin e Ftohtë”;
- procedua penalisht shtetasi I. B., 38 vjeç, me probleme të shëndetit mendor, për vjedhje çante në lagjen “1 Maji”.
🔹 Në Orikum, u arrestua shtetasi G. B., 41 vjeç, pasi u konstatua jashtë banesës duke shkelur masën e sigurimit “Arrest në shtëpi”, të vendosur nga Gjykata e Vlorës.
🔹 Në Himarë, po vijojnë hetimet për dy ngjarje të ndodhura në fshatin Vuno:
- E. M., 43 vjeç, nga Librazhdi, është rrëzuar aksidentalisht gjatë punës dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve;
- P. M., 62 vjeç, ka denoncuar se është goditur për motive të dobëta nga dy bashkëfshatarë.
🔹 Në Sarandë, u arrestua J. N., 32 vjeç, për dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëjetueses.
Gjithashtu, u proceduan penalisht:
- M. K., 52 vjeç, për zënie hapësire publike me tabela metalike në shërbim të lokalit të tij;
- I. I., 39 vjeç, për pengim të punonjësit të Ujësjellësit gjatë kryerjes së detyrës;
- S. Sh., 68 vjeç, dhe H. K., 54 vjeç, banues në Ksamil, të denoncuar se kanë helmuar qenin e një qytetari në vendin e quajtur “Sotira”.
Policia bën me dije se materialet u referuan në Prokurori për veprime të mëtejshme, ndërsa kontrollet dhe goditjet ndaj veprimtarive të paligjshme do të vijojnë në të gjithë qarkun e Vlorës.




