Vlorë/ Rritet numri i personave me sëmundje mendore! Psikiatri: Ka edhe 18-vjeçarë, shkak droga
Çrregullimet mendore po prekin gjithnjë e më shumë moshat e reja, e sidomos ata që kanë varësi nga lëndët narkotike. Mjeku psikiatër në Vlorë tregon se ndërmjet 34 pacientëve në qendrën komunitare ka edhe 18-vjeçarë.
34 persona me probleme të shëndetit mendor marrim mjekim ambulator në qendrën komunitare të Vlorës, ndërsa 135 pacientë janë të shtruar aktualisht në Spitalin Psikiatrik. Ky numër është më i lartë, se e njëjta periudhë e vitit të kaluar, thotë mjeku psikiatër i qendrës komunitare, Stiljano Lepuri.
“Nëse bëjmë një krahasim të muajve të parë të 2023-shit me muajt e parë të 2024, verejme shtim të vizitave ambulatore në qendrën komunitare.
Pacientet janë diagnostikuar me ankth, çrregullimet e humorit dhe psikoza të tjera.
“Pjesën më të madhe të rasteve të reja, pra persona që kartelizohen për herë të parë e përbëjnë personat me diagnozën e ankthit, që është shumë e përhapur, më pas diagnoza më të rëndë, si psikoza dhe çrregullim humori”, u shpreh ai.
Moshat e reja janë më prekura nga sëmundjet mendore, njëherësh dhe përdoruesit e lëndëve narkotike.
“Sidomos tek moshat e reja, vihet re një numër i rritur i personave që përdorin substance dhe shfaqin probleme si deluzione, halucinacione, etc. Ne merremi me kurimin e problemeve të shëndetit mendor dhe me pas i ndjek mjeku toksikolog.
Mosha më e prekur është 30- 55 vjeç ata që vijnë më shpesh, por shtrirja është dhe më tej, si p.sh. mosha 18 vjeç”.
Duke marrë shkas nga rasti i dhunës, ku një i ri i paidentifikuar goditi të moshuarin në Bulevardin e Skelës, mjeku tha se mund të jetë përdorues droge.
“Nuk e njoh këtë person. Por duke parë videon, mendoj se mund të jetë përdorues i lëndëve narkotike. Zakonisht njerëzit që janë me probleme të shëndetit mendor nuk kanë rrezikshmëri nëse janë të kuruar, nuk e kanë atë rrezikshmëri që kanë përdoruesit e drogës. Personat që vuajnë nga shëndeti mendor dhe që janë me mjekim nuk shfaqin këtë lloj impulsiviteti”.
Personat që shfaqin shqetësime duhet të paraqiten fillimisht tek mjeku i familjes, ku përmes një rekomandimi kryejnë vizitën tek mjeku psikiatër. Diagnozat e lehta trajtohen në qendrën komunitare, ndërsa ata në gjendje të rënduar shtrohen në Spitalin Psikiatrik të Vlorës.