Vlorë: Shpëtohen dy persona pas fundosjes së skafit të peshkimit, falë ndërhyrjes së Policisë Kufitare dhe Guardia di Finanza
Dy persona janë shpëtuar në ujërat detare të Vlorës, pasi skafi i tyre plastik i peshkimit u fundos për shkak të një defekti teknik gjatë lundrimit. Incidenti ndodhi përballë zonës së petroliferës, ku mjeti lundrues nisi të fundoset, duke vënë në rrezik jetën e dy shtetasve në bord.
Menjëherë pas marrjes së sinjalit SOS, shërbimet e Policisë Kufitare të Vlorës, në koordinim me Guardia di Finanza, ndërhynë me shpejtësi dhe arritën të shpëtojnë personat nga mjeti lundrues. Të shpëtuarit u transportuan në portin e Vlorës dhe u dërguan për ndihmë mjekësore në spital, ku u raportuan jashtë rrezikut për jetën.
Policia Kufitare vijon angazhimin për sigurinë e qytetarëve dhe turistëve, duke u bërë thirrje qytetarëve të raportojnë çdo rast emergjence në numrin 112.