Vlorë/ Tentoi të vidhte një furgon, arrestohet në flagrancë 23-vjeçari nga Kosova
Një 23-vjeçar nga Kosova është arrestuar në flagrancë nga Policia e Vlorës pasi u kap duke tentuar të vidhte një furgon në qytet.
Sipas policisë, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë arrestuan shtetasin G. P., 23 vjeç, banues në Pejë, si rezultat i reagimit të shpejtë të shërbimeve policore për parandalimin e vjedhjeve.
Ngjarja ka ndodhur më 10 mars 2026, në orët e para të mëngjesit, në lagjen “24 Maji”, ku i riu u kap në momentin që po tentonte të vidhte një automjet tip furgon. Ndërhyrja e menjëhershme e policisë bëri të mundur kapjen e tij në flagrancë dhe parandalimin e vjedhjes.
Gjatë kontrollit personal, policia i gjeti dhe i sekuestroi një armë të ftohtë (thikë) në cilësinë e provës materiale.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se 23-vjeçari dyshohet të jetë autor edhe i një vjedhjeje tjetër, të ndodhur më 6 mars 2026, ku është marrë një shumë parash në një lokal në lagjen “10 Korriku” në Vlorë.
Policia po vijon hetimet për dokumentimin e plotë të rastit dhe për të verifikuar nëse i riu është i përfshirë edhe në vjedhje të tjera.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Vlorës për veprat penale “Vjedhja” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.




