Vlorë – Zbardhen dhe dokumentohen dy raste vjedhjesh në Orikum, ndalohen dy shtetas me precedent penal

Policia e Orikumit ka zbardhur dhe dokumentuar dy raste të vjedhjes së pronës, ndërsa ka ndaluar dy shtetas të dyshuar si autorë të këtyre veprave penale.
Sipas njoftimit zyrtar, specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Orikum ndaluan me iniciativë shtetasin K. B., 19 vjeç, dhe një të mitur 17-vjeçar, të dy banues në Orikum dhe me precedent të mëparshëm penal në fushën e vjedhjes.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se dy të rinjtë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 12 maj 2025, kanë tentuar të vjedhin një banesë në qytet, ndërsa kanë realizuar një tjetër vjedhje në një banesë tjetër, nga ku kanë marrë një shumë të konsiderueshme parash dhe bizhuteri.
Policia njofton se po vijon puna për dokumentimin e rasteve të tjera të ngjashme në këtë zonë, për të cilat dy të ndaluarit janë gjithashtu të dyshuar si autorë.
Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme ligjore.