Vrasja makabre në Fier/ Vajza masakron të atin në bashkëpunim me të ëmën – Dëshmia tronditëse e nipit: “E veshëm ne trupin, kishte plagë në kokë, prerje në pjesët intime dhe mavijosje në qafë”

Një ngjarje makabre ka tronditur fshatin Frashër të Fierit, ku vajza 26-vjeçare, Emanilda Rama, ka vrarë të atin, Anesti Rama, në bashkëpunim me të ëmën, Valbona Rama. Krimi i rëndë ndodhi për motive ende të paqarta, ndërkohë që fillimisht është tentuar të paraqitet si një ngjarje aksidentale.
Në një dëshmi tronditëse për Fieri Web, nipi i viktimës ka treguar se ishte ai që ka veshur trupin e xhaxhait të ndjerë. Sipas tij, trupi i Anesti Ramës kishte shenja të qarta dhune: një çarje në ballë, një tjetër pas koke, dy prerje në organet gjenitale dhe mavijosje të dukshme në qafë, duke përforcuar dyshimet se ai është masakruar dhe më pas mbytur.

“Kur e pashë, vura re që kishte një goditje në ballë dhe shumë gjak pas koke. Nga ajo që kishim dëgjuar, që ishte goditur edhe në zonat intime, vura re që kishte dy prerje. Nuk e di nëse ato ishin nga autopsia apo nga dhuna, por e di që ishte i prerë.”, – tha ai.
Nga hetimet paraprake rezulton se pas krimit, nënë e bij kanë tentuar të pastrojnë gjurmët dhe ta paraqesin vrasjen si një incident të zakonshëm. Megjithatë, hetimet e Policisë së Fierit dhe ekspertiza mjeko-ligjore kanë hedhur dritë mbi dhunën brutale të ushtruar ndaj viktimës.

Banorët e fshatit Frashër janë shprehur të tronditur nga ngjarja dhe kanë deklaruar se Anesti Rama ishte një njeri i qetë dhe punëtor, pa konflikte me askënd. “Ishte njeri i mirë, punëtor, s’kishte bërë keq kurrë në jetë. Nuk e besojmë dot që vajza dhe gruaja e tij kanë bërë këtë krim të tmerrshëm”, u shpreh një prej banorëve.
Ndaj Emanilda dhe Valbona Rama është caktuar masa e arrestit, ndërsa vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe motivet që çuan në këtë akt makabër.




