Vrasje me thikë në Kavajë, humb jetën 47-vjeçari pas konfliktit për parkimin e makinës.

Një ngjarje e rëndë është regjistruar mesditën e së shtunës në Kavajë, ku një 47-vjeçar ka humbur jetën pasi është qëlluar me thikë pas një konflikti të çastit.
Viktima, Alket Isufi, dyshohet se kishte parkuar automjetin përpara banesës së autorit të dyshuar, Landi Puja. Sipas të dhënave paraprake, ky i fundit ka dalë nga shtëpia dhe i ka kërkuar 47-vjeçarit të largonte mjetin nga hyrja e banesës.
Debati mes tyre është përshkallëzuar me tone të ashpra, ndërsa situata ka degraduar në dhunë fizike. Burime paraprake bëjnë me dije se autori i dyshuar ka nxjerrë një mjet prerës (thikë) dhe e ka goditur dy herë në zonën e zemrës.
I plagosuri është transportuar me urgjencë drejt spitalit, por si pasojë e plagëve të rënda nuk ka arritur të mbijetojë.
Policia ka shoqëruar autorin e dyshuar dhe po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.




