Vrau kolegun në komisariat, Gjykata e Lartë lë në fuqi dënimin me 30 vite burg për Ludjan Zaimin

Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi dënimin me 30 vite burg për ish-efektivin e Policisë së Shtetit, Ludjan Zaimi, i shpallur fajtor për vrasjen e kolegut të tij brenda ambienteve të Komisariatit nr. 3 në Tiranë.
Shkalla e tretë e gjyqësorit nuk pranoi rekursin e paraqitur nga Zaimi, i cili kërkonte prishjen e vendimit të dhënë nga Apeli i Posaçëm më 25 janar 2024.
Ish-polici u shpall fajtor për veprën penale “vrasje me paramendim e punonjësit të Policisë së Shtetit”. Ngjarja e rëndë ndodhi më 23 maj 2022, kur Zaimi qëlloi me armë zjarri kolegun e tij, Caush Saliasi, brenda ambienteve të komisariatit, pak para se dy oficerët e patrullës së përgjithshme të merrnin turnin.
Sipas hetimeve dhe vendimeve gjyqësore, vrasja ndodhi si pasojë e bullizimit dhe konflikteve të vazhdueshme mes efektivëve në Komisariatin nr. 3.
Në shkallën e parë, Ludjan Zaimi u dënua me 35 vite burg për veprën penale “vrasje e punonjësit të Policisë së Shtetit”, por Apeli i Posaçëm e rikualifikoi veprën në “vrasje me paramendim”, duke i ulur dënimin me 5 vite.
Ish-efektivi nuk u pajtua me këtë vendim dhe iu drejtua Gjykatës së Lartë me rekurs, i cili u rrëzua, duke e bërë përfundimtar dënimin me 30 vite burg.




