Vritet brenda makinës 48-vjeçari në Tiranë, dyshime se ngjarja lidhet me krimin e të vëllait në ’97-ën
Një 48-vjeçar është gjetur në Zall Mner brenda një automjeti, mëngjesin e sotëm rreth orës 07:40. Policia dyshon se Lulzim Visha është vrarë me armë zjarri.
Burimet bëjnë me dije se një pistë që po hetohet është ajo e hasmërisë.
Në këtë kontekst, po verifikohet e shkuara e familjarëve të viktimës në lidhje me aktivitetet që kanë.
Sipas të dhënave paraprake viktima është vëllai i Besnik Vishës, ndaj të cilit me datë 29.06.2001, Gjykata e Tiranës i ka dhënë 12 vjet burgim, për veprat penale të “Vrasjes me dashje” dhe të “Armëmbajtjes pa leje”.
Besnik Visha, më datë 10 Prill të vitit 1997, ka vrarë më armë zjarri, për motive të dobëta Refik Domin, ngjarje e kjo e ndodhur në afërsi të Universitetit Bujqësor Tiranë.
Gazetari Edison Vatnikaj raporton se viktima është qëlluar disa herë me plumba, ndërsa dyshohet se vrasja është realizuar nga dy ose më shumë autorë
Tiranë/Informacion paraprak
Më datë 24.01.2025, rreth orës 07:40, në rrugën “Shën Stefani”, në Zall Mner, është konstatuar pa shenja jete, brenda një automjeti, shtetasi Lulzim Visha, 48 vjeç, banues në Kamëz, i dyshuar i vrarë me armë zjarri.
Shërbimet e Policisë ndodhen në vendngjarje. Ndërkohë grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.
Në vijim, do të keni një informacion me të detajuar për rastin.