Vr*sja në Durrës/ Shkon në 5 numri i personave të përfshirë, zbardhen detaje të reja nga hetimet

Durrës – Vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të vrasjes së 29-vjeçarit E. D., ndodhur dy javë më parë në lagjen nr.18 të qytetit bregdetar. Policia e Durrësit, në bashkëpunim me Prokurorinë, ka ndërmarrë veprime të thelluara hetimore që kanë çuar në identifikimin dhe ndalimin e disa personave të përfshirë në këtë ngjarje kriminale.
Sipas burimeve zyrtare, shkon në pesë numri i shtetasve të identifikuar si të përfshirë në këtë vrasje. Dy prej tyre, E. N., 36 vjeç, banues në fshatin Shkallnur, dhe K. B., 35 vjeç, banues në Durrës, janë vënë në pranga për kontrabandë me mallra të tjera, pasi dyshohet se kanë futur në mënyrë të paligjshme në Shqipëri një automjet tip Seat, i cili u përdor gjatë vrasjes.
Gjithashtu, është shpallur në kërkim Xh. D., 33 vjeç, banues në Durrës, për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje” dhe “Kontrabanda me mallra të tjera”. Sipas hetimeve, ai dyshohet se ka bashkëpunuar në kontrabandimin e dy automjeteve, njëri prej të cilëve është përdorur në ngjarje, ndërsa tjetri ishte planifikuar për një krim tjetër.
Dy ditë pas ngjarjes, u shpallën në kërkim edhe dy persona të tjerë:
- E. N., 44 vjeç, nga fshati Rrashbull
- M. D., 46 vjeç, shtetas maroken
Të dy akuzohen për sigurim kushtesh për kryerjen e vrasjes dhe trafikim të mjeteve motorike. Sipas Policisë, këta persona ndodhen jashtë vendit dhe po bashkëpunohet me partnerët ndërkombëtarë për lokalizimin dhe kapjen e tyre.
Policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale një automjet të dytë tip Seat, që ishte kontrabanduar dhe dyshohet se do të përdorej për një ngjarje tjetër kriminale.
Hetimet vijojnë me intensitet për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje dhe vënien para drejtësisë të të gjithë personave të përfshirë.