Wendt i paraqet letrat kredenciale presidentit Begaj, ambasada e SHBA-së: Çojmë përpara objektivat e Donald Trump

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri ka përshëndetur mbërritjen e ambasadorit të ri dhe paraqitjen e letrave kredenciale në Presidencë, të ambasadorit amerikan Eric Wendt.
Përmes një njoftimi në rrjetet sociale, ambasada e SHBA-së shkruan se ambasadori i ri “i paraqiti letrat kredenciale Presidentit Bajram Begaj, ndërsa të dy “riafirmuan partneritetin e fortë mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë dhe diskutuan për çuarjen përpara të përparësive të administratës së Presidentit Donald J. Trump, përfshirë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, rritjen ekonomike dhe luftën kundër grupeve kriminale transnacionale”
Njoftimi i plotë:
Mirë se vjen, Ambasador Wendt! Ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Eric Wendt, i paraqiti letrat kredenciale Presidentit Bajram Begaj. Ambasadori Wendt dhe Presidenti Begaj riafirmuan partneritetin e fortë mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë dhe diskutuan për çuarjen përpara të përparësive të administratës së Presidentit Donald J. Trump, përfshirë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, rritjen ekonomike dhe luftën kundër grupeve kriminale transnacionale.
Kush është Eric ambasadori i ri, Eric Wendt?
Ambasadori i ri amerikan vjen në Shqipëri me një profil të spikatur në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
Ai ka më shumë se 34 vite shërbim në ushtrinë amerikane, pjesën më të madhe të karrierës në Forcat Speciale “Green Berets”. Wendt ka mbajtur gjithashtu detyra të rëndësishme në strukturat e operacioneve speciale të NATO-s. Prioritetet e mandatit të tij në Shqipëri, Wendt i bëri të qarta që në dëgjesën e 20 majit në Senatin amerikan.
Në fokus, ai renditi luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe trafikut të drogës, si dhe forcimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë kibernetike. Një vëmendje të veçantë ambasadori i ri amerikan i kushtoi edhe SPAK-ut.
Wendt shprehu mbështetjen e tij për Strukturën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, duke vlerësuar bashkëpunimin e saj me agjencitë amerikane të zbatimit të ligjit. Sipas Wendt, puna e SPAK mbetet thelbësore në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, për sa kohë institucioni ruan pavarësinë dhe qëndron i mbrojtur nga ndikimet politike.
Në axhendën e ditëve të para të mandatit janë edhe takimet me drejtuesit e institucioneve shqiptare.
Të mërkurën, ambasadori Eric Wendt pritet të zhvillojë takimin e parë me ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha. Ndërkohë, të premten, më 2 tetor, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë do të organizojë ceremoninë zyrtare të prezantimit të ambasadorit të ri.
Me një eksperiencë të gjatë në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, Wendt nis mandatin në Tiranë në një periudhë ku në fokus të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane mbeten forcimi i bashkëpunimit strategjik, sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.




