Zbardhet vrasja e biznesmenit Mondi Mëhalla në Elbasan; shpallen në kërkim dy autorë dhe arrestohen dy bashkëpunëtorë (EMRAT)
Policia e Elbasanit ka zbardhur vrasjen e biznesmenit Mondi Mëhalla, i njohur edhe si Edmond Hyka, ngjarje e ndodhur mbrëmjen e së dielës, më 30 nëntor. Pas hetimeve intensive, janë identifikuar dhe shpallur në kërkim dy autorët e dyshuar: Marselo Arani, 32 vjeç, dhe Armando Kola, 35 vjeç.
Në kuadër të operacionit u arrestuan edhe dy bashkëpunëtorë të dyshuar, Xhino Ago, 32 vjeç, dhe Kujtim Pisha, 52 vjeç, roje karburanti. Sipas policisë, Xhino Ago akuzohet për veprat penale “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”. Ndërsa Kujtim Pisha do të hetohet për veprën “Moskallëzim i krimit”.
Hetimet kanë zbuluar se automjeti i përdorur nga autorët në ngjarje ishte në pronësi të Xhino Agos, i cili e kishte dhënë për përdorim Marselo Aranit.
Policia e Elbasanit njofton se vijon puna për kapjen e personave të tjerë të përfshirë dhe për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje të rëndë.




