Zbardhet vrasja e Eduart Reçit! Hetimet: Polici i komisariatit nr 2 në Tiranë ekzekutoi ndërtuesin, arrestohet dhe i vëllai! Motivi? Konflikte pronësie
Tirane- Një oficer policie i komisariatit nr 2 të policisë së Tiranës dhe vëllai i tij janë arrestuar si autorë të vrasjes së biznesmenit të ndërtimti Eduard Reçi, ndodhur më 13 nëntor 2024 poshtë pallatit ku jetonte dhe të cilin e kishte ndërtuer vetë. Policia e Tiranës zbardhi vrasjen ndërsa arrestoi dy vëllezërit, Shkëlqim Dukaj, 48 vjeç, oficer Policie dhe Florian Dukaj, 45 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Burime nga grupi hetimor bëjne me dije se ka qenë pikërisht efektivi Shkëlqim Dukaj, 48 vjeç, i njohur si një qitës shumë i mirë mes uniformave blu, që sipas policisë ka qëlluar mbi 52 vjeçarin me origjinë nga Dibra që vite më parë kishte qenë edhe pjesë e shërbimit infomativ shtetëror.
Vëllai i autorit të dyshuar Florjan Dukaj 45 vjeç ka ndihmuar në ekzekutim që dyshohet për shkak të konflikteve për motive pronësie. Hetuesit, pas provave kanë përcaktuar edhe vendin nga ku është qëlluar, pasi kanë mundur të sigurojnë edhe pamje nga kamerat e sigurisë të autorit.
Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se shtetasi Eduart Reçi, po angazhohej për të ndërtuar një pallat, ndërtimi i të cilit kërkonte bashkëpunim dhe dakortësim edhe me persona të tjerë (kufitar me pronën e viktimës). Ndër personat me të cilët shtetasi Eduart Reçi, kishte diskutuar lidhur me këtë problematikë dhe ka pasur konflikt mbi pronësinë e truallit, janë vëllezërit FlorianDukaj dhe Shkëlqim Dukaj, informoi sot, (24 nentor) policia e Tiranës.
Ata akuzohen për kryerjen e veprave penale “Vrasja me paramendim” e kryer ne bashkëpunim. Në magazinën e lokalit iu gjetën, një armë zjarri pjesërisht e dëmtuar, gjashtë objekte cilindrike te ngjashme me silenciatorë me përmasa të ndryshme, pjesë dhe mekanizma të ndryshëm që përdoren për silenciatorët, dy jelekë antiplumb dhe pajisje të ndryshme elektronike të cilat dokumentojnë veprimtarinë dhe dinamikën e autorëve të dyshuar të kësaj ngjarje, informoi sot policia.
Policia thotë se Shkëlqim Dukaj njihej si qitës profesionist.
Biznesmeni Eduard Reçi u vra rreth orës 23:00 të së mërkurës, (13 nëntor 2024), poshtë pallatit ku jetonte, të cilin e ka ndërtuar vet, në rrugën “Faik Konica” në Tiranë, përballë Fakultetit të Histori-Filologjisë. 52 vjeçari ndërroi jetë në spital. Eduart Reçi, ishte me bashkëshorten në oborrin e shtëpisë kur u qëllua dhe ra në tokë pa u kuptuar. Gruaja e tij u tha hetuesve se kishte menduar se u rrëzua nga ndonjë cifël e fishekzjarrëve që shpërthyen si kamuflim në të njëjtin moment kur u qëllua me armë.