Për 18 orë, në pistën avionëve të aeroportit të Hamburgut në Gjermani, një burrë ka mbajtur peng të bijën, duke bërë që të gjitha fluturimet të anuloheshin.
Ankthi mori fund vetëm sot pasdite kur autoritetet mund të negocionin me babain e 4-vjeçares dhe ai u dorëzua pa rezistencë.
Mësohet se ngjarja lidhet me një mosmarrëveshje për kujdestarinë e fëmijës që burri kishte me nënën e vajzës.
Mosmarrëveshja mes tyre kishte filluar të shtunën mbrëma rreth orës 20:00 me orën lokale.
35-vjeçari e mbajti vajzën e tij 4-vjeçare në makinën e tij, të cilën e parkoi pranë një avioni të Turkish Airlines, pasi depërtoi në aeroport duke u përplasur me lokalin në portën e aeroportit dhe në pistë.
Ai qëlloi dy të shtëna në ajër dhe hodhi dy shishe flakëruese, të cilat dukeshin si kokteje molotov, sipas një zëdhënësi të policisë.
35-vjeçari donte të lejohej të fluturonte drejt Turqisë me vajzën e tij, të cilën më parë e kishte rrëmbyer nga shtëpia e gruas në Stande, rreth 30 kilometra larg Hamburgut.
Kjo situatë ka ngjallur polemika mbi kushtet e sigurisë rreth aeroportit të Hamburgut me shumë veta që pyesin se si një burrë arriti kaq lehtë në pistën e aeroportit me makinë.
Në korrik, aktivistët mjedisorë bllokuan trafikun në të njëjtin aeroport për disa orë, duke u futur me biçikleta në një protestë kundër ndotjes së avionëve.
“Si është e mundur që një baba me Audi-n e tij mund të kalojë nëpër një lokal dhe më pas të ketë akses në një zonë të sigurisë së lartë?” Si është e mundur që aktivistët e klimës të depërtojnë gardhet që rrethojnë aeroportet e Hamburgut, Berlinit apo Dyseldorfit në muajt e fundit?” pyeti një ekspert i njohur gjerman i trafikut ajror, Heinrich Grosbongaard, duke folur për revistën Der Spiegel.
Një nga drejtuesit e sindikatës gjermane të policisë, Heiko Tegatz, komentoi nga ana e tij se “është e vështirë të kuptohet se si tregjet e jashtme të Krishtlindjeve mbrohen nga blloqe betoni, por aeroportet, edhe pse janë zona me rrezik të lartë sigurie, mbrohen në mënyrë amatore”.