Zbulohet grupi i hakerave mes tyre 7 punonjës nga Fieri, mashtronin shtetas grekë dhe vidhnin llogari bankare
Krimi Ekonomik ka zbuluar një grup hakerash shqiptar të cilët i vidhnin llogaritë bankare të shtetasve grekë duke ia boshatisur ato. Me anë të mashtrimit Kanan Hani 31 vjeç, Kristjan Feçanji 29 vjeç iu kërkonin shtetasve grekë të investonin në kriptomonedha, dhe pasi ata aksesoheshin në program, llogaritë e tyre boshatiseshin. Policia e Korçës i ka arrestuar dy hakerat, ndërsa ka proceduar penalisht edhe 7 shtetas nga Fieri të cilit ishin punësuar si agjentë në zyrën e ngritur prej dy hakerave.
Një grup hakerash shqiptar ishin kthyer në makth për shtetasit grekë. Ata i vidhnin të dhënat bankare dhe më pas bënin transferta nga llogarit e shtetasve grekë në llogaritë e tyre. Hakerat kishin ndërtuar një zyrë në qytetin e Korçës, ndërsa i kontaktonin shtetasit e huaj të investonin në kriptomonedha duke iu premtuar atyre se paratë e tyre do të shumëfishoheshin.
Sistemi operativ i këtyre personave funksiononte me anë të një zyre në të cilën ishin punësuar 7 të rinj nga qyteti i Fierit që merreshin me monitorimin e procesimit të të dhënave të shtetasve. E gjithë kjo skemë mashtrimi është zbuluar nga agjentë të Krimit Ekonomik të cilët kanë arritur të deshifrojnë të gjitha transaksionet e kryera. Pas rënies në gjurmë të këtij grupi është bërë e mundur arrestimi i dy përgjegjësve kryesor, ndërsa 7 persona e punësuar pa kontrata janë proceduar në gjendje të lirë.
Burime bëjnë me dije se në pranga kanë rënë Kanan Hani 31 vjeç, banues në Tiranë, dhe Kristjan Feçanji 29 vjeç, banues në Korçë. Dy të arrestuarit kishin krijuar një program dhe përmes të punësuarve të tjerë i kërkonin shtetasve të huaj të investonin në monedha virtuale. Pasi shtetasit grekë pranonin, atyre u kërkohej të instalonin një program në kompjuterët dhe celularët e tyre dhe pas instalimeve, hakerat shqiptarë arrinin ti merrni të dhënat bankare duke transferuar shuma të ndryshme bankare.
Dyshohet të jenë mashtruar 5 mijë grekë, të cilëve 7 punonjësit që ishin nga Fieri, u kanë marrë nga 3 mijë deri 5 mijë euro.
Pas zbulimit të këtij grupi, policia ka sekuestruar 23 njësi kompjuterike, 1 laptop, fatura fiktive, fatura transaksionesh bankare dhe pajisje të tjera që i shërbenin kësaj veprimtarie.