Zbulohet një tjetër vendbanim ilir në Lushnjë, gërmimet arkeologjike në kodrën e Pusit

Një tjetër vendbanim i periudhës ilire është zbuluar në zonën e Lushnjës, duke sjellë interes të ri për arkeologjinë në këtë pjesë të Myzeqesë. Prej rreth një muaji kanë nisur gërmimet arkeologjike në fshatin Murriz-Peqin, në zonën e njohur si kodra e Pusit, ku arkeologët po kërkojnë të zbulojnë më shumë mbi historinë e këtij vendi.

Sipas specialistëve që po drejtojnë kërkimet, ekziston mundësia që në këtë sit të dalë në dritë një banesë me çati dhe përmasa të mëdha, ose edhe një monument kulti me karakter bazilikal, çka do ta bënte zbulimin edhe më të rëndësishëm për historinë e zonës.
Arkeologu Andrea Pambuku shprehet se gërmimet janë ende në fazë studimi dhe kërkimet po vazhdojnë për të përftuar më tepër informacion mbi potencialin që mund të fshehë kjo kodër.

Sipas tij, për të vijuar punimet dhe për të kuptuar më qartë strukturat që mund të ndodhen nën tokë, do të nevojiten edhe më shumë financime, në mënyrë që gërmimet të vazhdojnë për disa javë të tjera dhe të japin rezultate më të plota për këtë sit arkeologjik.




