Zhurma e Gaz Bardhit ndaj Belinda Ballukut, simptomë e një opozite të humbur dhe në krizë
Nisja e sesionit të ri parlamentar të vitit 2026 u shënua jo nga ide të reja apo alternativa serioze politike, por nga rikthimi i një opozite të njohur për zhurmë dhe spektakël: ulërima, kacafytje dhe kaos verbal. Një skenar tashmë i konsumuar që dëshmon se kur shterojnë idetë dhe bie pesha politike, zhurma shndërrohet në mjetin e vetëm të opozitarizmit.
Analistët politikë theksojnë se kjo sjellje nuk është spontane. Ajo pasqyron një model të konsumuari të opozitës, të mbetur peng i protagonizmit personal dhe retorikës agresive, ku përplasja zë vendin e debatit serioz dhe Kuvendi shndërrohet më shumë në arenë për shfryrje politike sesa në institucion kushtetues të përfaqësimit.
Sulmet e Gaz Bardhit ndaj pranisë dhe rolit të Belinda Ballukut janë politikisht të pakuptimta dhe taktikisht të gabuar. Një politikan që pretendon zgjuarsi dhe maturi duhet së pari të lexojë raportet e forcës brenda kampit të tij dhe së dyti të presë zhvillimet politike dhe penale që rëndojnë mbi figurat kyçe të aleatëve të tij, përfshirë Sali Berishën dhe Fatmir Mediun.
Faktet elektorale nuk mbulohen me britma: në zgjedhjet e 11 majit, PD-ja nën drejtimin e Gaz Bardhit në Qarkun Fier pësoi një humbje të rëndë përballë Belinda Ballukut dhe mazhorancës, duke fituar vetëm katër mandate. Ky rezultat është një përgjegjësi direkte politike për drejtimin dhe strategjinë e ndjekur nga opozita.
Gjithashtu, kujtohet luhatshmëria e Gaz Bardhit gjatë konfliktit të brendshëm për vulën e PD-së, që sipas analistëve dobëson kredibilitetin e opozitës dhe e paraqet atë si të paqëndrueshme dhe të konsumuara në debatet politike.
Në përfundim, sesioni i ri parlamentar kërkon përgjegjësi institucionale, ide të reja dhe debat serioz. Opozita nuk mund të ndërtojë besueshmëri duke ricikluar zhurmën, konfliktin dhe figurat e konsumuara. Pa reflektim mbi humbjet dhe gabimet e veta, opozitarizmi mbetet një shfaqje kaotike, e paaftë për të ofruar alternativë qeverisëse dhe për të përmbushur rolin kushtetues që i takon.




