Zjarr në kodrat e Zhupanit në Fier, digjen ullishte dhe shkurre – terreni i vështirë pengon ndërhyrjen e zjarrfikësve

Një zjarr i përmasave të konsiderueshme ka përfshirë mesditën e sotme kodrat me ullishte në fshatin Zhupan të Fierit, në vendin e njohur nga banorët si “Takodrom”.
Flakët, të përhapura me shpejtësi për shkak të erës së fortë, janë vënë re nga banorët e zonës, të cilët kanë njoftuar menjëherë shërbimet zjarrfikëse. Dy automjete të zjarrfikëses kanë mbërritur në vendngjarje, por për shkak të terrenit të thyer dhe të vështirë, ndërhyrja direkte në vatër është bërë thuajse e pamundur.
Deri në këto momente, raportohet për djegien e një sipërfaqeje të konsiderueshme me bimësi, shkurre dhe ullinj shumëvjeçarë. Fatmirësisht, nuk ka rrezik për banesat, të cilat ndodhen larg zonës së prekur nga zjarri.
Autoritetet janë në terren dhe po bëjnë përpjekje për të izoluar flakët, ndërsa u bëhet thirrje qytetarëve të shmangin zonën dhe të raportojnë çdo vatër të re zjarri që mund të shfaqet përreth.