Zjarri në Darëzezë: Ndërhyrje nga ajri me helikopter për fikjen e flakëve

Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë zonën pyjore të Darëzezës në Fier, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në sipërfaqet me pisha dhe bimësi të dendur. Për shkak të terrenit të vështirë dhe erërave të forta që përhapin flakët me shpejtësi, autoritetet kanë angazhuar ndërhyrjen nga ajri.
Një helikopter i Forcës Ajrore, tip Cougar, ka ndërhyrë për të ndihmuar në shuarjen e zjarrit, ndërsa nga toka janë angazhuar 7 automjete zjarrfikëse me mbi 40 efektivë të MZSH-së, si dhe mjete të rënda si buldozerë dhe fadroma.
Zjarri është riaktivizuar pas përpjekjeve të mëparshme për ta izoluar, dhe rrezikon të përhapet edhe më tej nëse kushtet atmosferike mbeten të pafavorshme. Autoritetet u bëjnë thirrje banorëve të zonës të tregojnë kujdes të shtuar dhe të bashkëpunojnë me forcat operacionale për të shmangur rrezikun ndaj jetës dhe pronës.