Zjarri në Drenovë përhapet drejt Gorishovës, në ndihmë mbërrijnë edhe zjarrfikëset e ushtrisë

Flakët e fuqishme që kanë përfshirë masivin pyjor të Drenovës janë përhapur me shpejtësi pasditen e sotme, të favorizuara nga era e fortë, duke avancuar drejt kodrave të Gorishovës dhe përfshirë një sipërfaqe shumë të gjerë.
Më herët gjatë ditës është tejkaluar një situatë kritike pranë grupeve të puseve të naftës nr. 25 dhe 38, ku zjarri është afruar ndjeshëm, duke krijuar një rrezik serioz për infrastrukturën energjetike në zonë.
Në terren janë angazhuar mjetet zjarrfikëse nga Fier, Mallakastër, Roskovec, Berat, Patos, si dhe të ndërmarrjes Albpetrol, të cilat kanë punuar pa ndërprerje për të frenuar përparimin e flakëve dhe për të siguruar neutralizimin e tyre në zonat më problematike.
Situata është ndjekur nga afër edhe nga kreu i Albpetrol, z. Eltar Deda, ndërsa në ndihmë kanë mbërritur tashmë edhe 4 mjete zjarrfikëse të ushtrisë, të cilat po asistojnë për vënien nën kontroll të flakëve që vijojnë të përhapen në disa drejtime për shkak të kushteve atmosferike të pafavorshme.
Autoritetet mbeten në gatishmëri të plotë, ndërsa theksojnë rrezikun e përhershëm që paraqet pakujdesia në natyrë gjatë temperaturave të larta të verës.




