Zjarri në Pishë Poro, Greqia dërgon një avion Canadair! Mbrojtja: Falënderojmë fqinjët tanë
Greqia ka dërguar një avion Canadair për të ndihmuar në shuarjen e flakëve në Pishë Poro.
Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi bën me dije se ndihma vjen në kuadër të Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile, sakaq falënderon fqinjët për gatishmërinë e tyre.
Ministria e Mbrojtjes: Greqia i është përgjigjur kërkesës së Agjencisë së Mbrojtjes Civile të Shqipërisë me një avion Canadair për ndërhyrje nga ajri në vatrën e zjarrit në Pishë Poro, në Fier.
Falenderojmë fqinjët tanë, për ndihmën në kuadër të Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile!
Beteja për shuarjen e vatrave të zjarrit vijon në ditën e 6-të, në masivin pyjor të Pishë Poros dhe Darëzezës në Fier.
Forcat operacionale kanë qenë në terren deri në mesnatë pasi të favorizuara nga era e fortë detare, të gjitha vatrat e zjarrit në pyll janë aktivizuar duke u përhapur deri ne masivin pyjor të Darëzezës ku flakët u afruan deri në 300 metra pranë zonës së banuar dhe bizneseve që operojnë në të.
Dy mjete zjarrfikëse kanë vënë nën kontroll këtë vatër zjarri të rrezikshme ndërkohë që përgjatë gjithë natës zona është monitoruar nga shërbimet zjarrfikëse.
Sipas prefektit Lefter Shehaj, operacioni ka filluar në orët e para të mëngjesit të sotëm ku në terren po punojnë 5 mjete zjarrfikëse me 20 efektive, 40 efektive të forcave të armatosura, punonjës të Adzm, forca mbështetëse të bashkisë dhe një buldozer i Ministrisë së Mbrojtjes.