Zjarri në Ribaj avancon drejt Lofkëndit, ndërhyrje intensive nga toka dhe ajri
Mallakastër – Situata e zjarrit në fshatin Ribaj mbetet kritike edhe pas afro 48 orësh. Flakët kanë avancuar drejt fshatit Lofkënd, duke përfshirë dhjetëra hektarë pyje me pisha dhe bimësi.
Gjatë gjithë ditës së djeshme, në terren u angazhuan forca të shumta zjarrfikëse, të mbështetura nga dy helikopterë, të cilët ndërhynë nga ajri për të frenuar përhapjen e flakëve. Në mbrëmje, situata u konsiderua pjesërisht nën kontroll, por gjatë natës zjarri u riaktivizua si pasojë e erës së fortë dhe temperaturave të larta.
Në operacion është përfshirë sot edhe një avion Air Tractor AT-802F Fire Boss, i cili po operon për herë të parë në zonën e Mallakastrës. Avioni po kryen hedhje uji mbi vatrat më problematike, në mbështetje të forcave që po punojnë në terren.
Pavarësisht ndërhyrjes nga toka dhe ajri, kushtet atmosferike vijojnë të favorizojnë përhapjen e flakëve. Forcat zjarrfikëse dhe strukturat e emergjencës mbeten të angazhuara për izolimin e vatrave aktive dhe mbrojtjen e zonave të banuara, ndërsa pranë fshatrave të rrezikuar janë vendosur mjete dhe efektivë për të parandaluar çdo rrezik për banorët dhe banesat.




