65 raste të kancerit të gjirit në Fier, mjekët apelojnë për kontrolle të hershme – të prekur edhe 3 meshkuj

Fier – Kanceri i gjirit vijon të jetë një shqetësim edhe në qarkun e Fierit, ndërsa mjekët apelojnë për kontrolle të rregullta dhe diagnostikim sa më të hershëm të sëmundjes.
Sipas mjekes onkologe Anisa Mone, gjatë këtij viti në Fier janë diagnostikuar 65 raste të reja me kancer gjiri te gratë, ndërsa vetëm gjatë muajit shtator janë evidentuar 5 raste të reja.
Shqetësues është edhe fakti se sëmundja është diagnostikuar edhe te meshkujt. Në Fier janë identifikuar 3 raste të kancerit të gjirit te meshkujt, nga 19 raste të raportuara në të gjithë vendin.
Në total, sipas mjekes, gjatë këtij viti në qarkun e Fierit janë zbuluar rreth 400 persona të prekur nga lloje të ndryshme të kancerit.
Mjekja Anisa Mone thekson se kanceri i gjirit në fazat e hershme mund të mos shfaqë shenja të dukshme, ndaj kontrollet periodike janë të rëndësishme.
“Shenjat klinike në fazat e hershme mund të jenë të pakta. Vetëm një ekzaminim i kujdesshëm, mamografia apo edhe vetëkontrolli mund ta zbulojnë sëmundjen në fazat e hershme. Në momentin që pacientja ka vënë re një ndryshim në trupin e saj, fatkeqësisht sëmundja mund të jetë në faza më të avancuara. Ndaj apeli është: sa më herët të kryhet një kontroll, aq më shumë mundësi ka për të shpëtuar një jetë”, shprehet mjekja.
Interesi për kontrollet parandaluese është rritur vitet e fundit. Ekzaminimet janë kryer në qendrat shëndetësore në të gjithë qarkun e Fierit, me fokus të veçantë te ekografia dhe mamografia.
Për t’iu përgjigjur kërkesës në rritje, janë zgjeruar edhe oraret e shërbimit të mamografisë, duke u mundësuar grave kryerjen e ekzaminimeve edhe në orët e mbrëmjes.
Mjekët nënvizojnë se ndërgjegjësimi nuk duhet të kufizohet vetëm te gratë. Edhe meshkujt mund të preken nga kanceri i gjirit, ndonëse rastet janë shumë më të rralla. Në shumë raste, kontrolli kryhet vetëm pasi shfaqen shenja klinike, ndaj edhe për burrat kërkohet më shumë vëmendje ndaj çdo ndryshimi të pazakontë.




