89 botime të rralla para Luftës së Dytë Botërore, Biblioteka “Dritëro Agolli” në Fier çel ekspozitën “Në Gjurmët e Trashëgimisë”

FIER – 89 botime të rralla, të botuara para Luftës së Dytë Botërore, janë bërë pjesë e ekspozitës “Në Gjurmët e Trashëgimisë”, e çelur në Bibliotekën Publike “Dritëro Agolli” në Fier në kuadër të Ditës Botërore të Trashëgimisë Kulturore.
Drejtoresha e bibliotekës, Klodiana Gjata, shpjegon se këto botime iu dhuruan institucionit në vitin 2022 nga Biblioteka Kombëtare dhe Ministria e Kulturës. Sipas saj, fondi përbën një dëshmi të rëndësishme të historisë së shtypit dhe kulturës shqiptare.
Pjesë e ekspozitës janë edhe libra të autorëve fierakë, fotografi të vjetra të qytetit të Fierit, si dhe materiale që pasqyrojnë historinë dhe traditat e trevës së Myzeqesë.
Një prej botimeve më të veçanta është kopja unike e “Xixëllime”, me autor fierakun Hysen Emiri, botuar në Vlorë në vitin 1939.
Ekspozita përfshin gjithashtu botime të hershme të autorëve Lasgush Poradeci, Mitrush Kuteli dhe Sami Frashëri, si dhe tekste shkollore e përkthime të autorëve të njohur të letërsisë botërore.
Sipas drejtoreshës Gjata, qëllimi i kësaj ekspozite është që libri i vjetër të shihet jo vetëm si një vepër letrare, por edhe si një dëshmi e historisë dhe kulturës, duke e bërë këtë pasuri të njohur edhe për brezat e rinj.
Ekspozita sjell në vëmendje një fond të rrallë të trashëgimisë së shkruar dhe historisë lokale, duke bashkuar në një hapësirë botimet e hershme, autorët fierakë, fotografitë e vjetra dhe dëshmi të kulturës së Myzeqesë.




