Sigurimi i makinave, ndryshime të reja: Dëmshpërblim deri në 250 mijë lekë brenda 14 ditëve, mbulohen edhe pasagjerët
Projektligji i ri për sigurimin e detyrueshëm të automjeteve parashikon zgjerimin e mbrojtjes për qytetarët që dëmtohen në aksidente rrugore, rritjen e kufijve të dëmshpërblimit dhe përshpejtimin e procedurave për marrjen e kompensimit.
Sipas ndryshimeve të propozuara, sigurimi i detyrueshëm do të mbulojë shprehimisht jo vetëm këmbësorët dhe personat jashtë automjetit, por edhe pasagjerët dhe përdoruesit e tjerë të rrugës.
Një nga risitë kryesore lidhet me trajtimin e dëmeve të vogla materiale. Kufiri për procedurën e përshpejtuar të dëmshpërblimit parashikohet të rritet nga 100 mijë në 250 mijë lekë, ndërsa kompanitë e sigurimit do të kenë detyrimin t’i paguajnë këto kërkesa brenda 14 ditëve nga paraqitja e tyre.
Projektligji parashikon gjithashtu që qytetarët të përfitojnë pa pagesë një dokument me historikun e dëmeve për pesë vitet e fundit. Ky dokument do të shërbejë për përcaktimin e primit të sigurimit dhe do të lehtësojë kalimin nga një kompani sigurimi te një tjetër.
Një tjetër risi është parashikimi i një periudhe 15-ditore pas përfundimit të kontratës së sigurimit, gjatë së cilës garantohet vijimësia e mbulimit, sipas kushteve të përcaktuara në ligj.
Ndryshime parashikohen edhe për rastet kur automjeti shkaktar i aksidentit është i pasiguruar ose nuk identifikohet, duke forcuar mekanizmat e kompensimit të të dëmtuarve përmes Fondit të Kompensimit.
Projektligji synon të përafrojë legjislacionin shqiptar me standardet e Bashkimit Evropian, pasi ligji aktual, i miratuar në vitin 2021, ka evidentuar paqartësi në përkufizimin e mjeteve motorike dhe përdorimin e tyre, si dhe mungesa në mekanizmat e transparencës dhe mbrojtjes së qytetarëve në rast falimentimi të kompanive të sigurimit.
Ndërkohë, disa prej ndryshimeve, përfshirë kufijtë e rinj të mbulimit dhe mekanizmat e sigurimit në nivel evropian, do të hyjnë në zbatim me anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Deri atëherë do të aplikohen rregullat kalimtare.
Me kuadrin e ri ligjor synohet krijimi i një tregu më transparent dhe forcimi i mbrojtjes financiare të qytetarëve që pësojnë dëme në aksidente rrugore.




