FIER, ARRESTOHET 41-VJEÇARI, I DËNUAR DY HERË PËR DROGË – KAPET ME KOKAINË GATI PËR SHITJE

Policia e Fierit ka finalizuar operacionin e koduar “Recidivisti”, duke arrestuar një 41-vjeçar të identifikuar si Emiljano Resuli, me precedent të theksuar penal në fushën e narkotikëve.
Sipas policisë, 41-vjeçari, banues në Fier, ishte dënuar më parë dy herë për të njëjtën veprimtari kriminale.
Ai u ndalua nga shërbimet e Policisë teksa qarkullonte me automjet në qytetin e Fierit. Gjatë kontrollit të automjetit dhe kontrollit fizik, efektivët gjetën një sasi lënde të dyshuar narkotike kokainë, një pjesë e së cilës ishte ndarë në doza dhe dyshohet se ishte përgatitur për shitje.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan kokaina, automjeti me të cilin lëvizte 41-vjeçari dhe një telefon celular.
Operacioni u zhvillua nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.




