Ndërrimi i viteve në Fier, 25 të rinjë përfundojnë në spital

Fier – Festimet në kuadër të ndërrimit të viteve janë shoqëruar me një fluks të shtuar paraqitjesh në Urgjencën e Spitalit Rajonal Fier. Sipas burimeve spitalore, rreth 25 të rinj janë paraqitur në gjendje të dehur, duke shfaqur simptoma të intoksikacionit nga alkooli.
Mësohet se të rinjtë kanë qenë kryesisht të grupmoshës 20–30 vjeç, dhe pas marrjes së ndihmës mjekësore janë larguar nga spitali, pa pasur nevojë për shtrime të mëtejshme.
Ndërkohë, ndërrimi i viteve është shoqëruar edhe me përdorimin e fishekzjarreve, ku tre persona kanë pësuar lëndime të lehta. Ata janë trajtuar në urgjencë dhe janë larguar pas mjekimit.
Gjithashtu, gjatë orëve të mëngjesit të sotëm, për shkak të ngarkesës ushqimore, në urgjencë janë paraqitur edhe disa të sëmurë kronikë. Burimet konfirmojnë se deri më tani nuk është shënuar asnjë rast me komplikacione të rënda.




