Atentat me armë zjarri në Athinë, plagosen dy shqiptarë, babë e bir.

Një atentat me armë zjarri ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në zonën Agiou Dimitriou, në Athinë, ku kanë mbetur të plagosur dy shtetas shqiptarë.
Ngjarja është regjistruar rreth orës 02:40, kur një person i paidentifikuar ka hyrë në lokalin “O Gyros tou Asyrmatou”, i ndodhur në rrugën “Politexniou 70”, në pronësi të shtetasit shqiptar Negri Sinovarfaj, 39 vjeç. Autori ka hapur zjarr ndaj pronarit të lokalit dhe babait të tij, 70 vjeç, duke i qëlluar të dy në këmbë.
Pas atentatit, autori është larguar me automjet nga vendi i ngjarjes. Të plagosurit janë transportuar me urgjencë drejt spitalit në Paleo Faliro, ku ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Policia greke ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe identifikimin e autorit, ndërsa nuk përjashtohet pista e rivalitetit mes tifozëve të ekipeve të futbollit, pasi Negri Sinovarfaj dyshohet se është pjesë e një grupimi të organizuar tifozësh të ekipit A.E.K.




