Lumi Seman çan argjinaturën në Libofshë, eskavatorë mobilizohen për parandalimin e përmbytjeve
Mesditën e sotme, lumi Seman ka çarë argjinaturën në disa segmente pranë fshatrave Ndërnënas dhe Hasturkas në Libofshë, si pasojë e prurjeve të shumta. Uji ka dalë përtej argjinaturës dhe ka përfshirë tokat bujqësore, duke alarmuar banorët, të cilët pohojnë se nuk kanë parë kurrë një nivel kaq të lartë dhe shprehin frikë për vijimin e rritjes së ujërave drejt zonave të banuara.
Përballë situatës, forcat e Bordit të Kullimit kanë mobilizuar eskavatorë dhe mjete të tjera të rënda për disiplinimin e ujërave drejt kolektorit të hidrovori të Karavastas, me qëllim shmangien e përmbytjes së banesave dhe paneleve fotovoltaike.
Situata mbetet nën monitorim të vazhdueshëm, ndërsa autoritetet bëjnë apel për kujdes maksimal. Aktualisht, qindra hektarë tokë bujqësore ndodhen nën pushtetin e ujit.




