Operacioni “Target” në Fier, arrestohet 31-vjeçari për shitje droge
FIER – Vijojnë goditjet e Policisë ndaj veprimtarisë kriminale të shpërndarjes së lëndëve narkotike. Drejtoria Vendore e Policisë Fier ka finalizuar operacionin policor të koduar “Target”, si rezultat i të cilit është arrestuar shtetasi Frans Begaj, 31 vjeç, banues në Fier.
Operacioni u zhvillua nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Prokurorinë e Fierit dhe me mbështetjen e Forcës së Posaçme Operacionale, pas një hetimi rreth 6-mujor me metoda speciale.
Gjatë momentit të kapjes dhe kontrollit të banesës, policia gjeti dhe sekuestroi një sasi lënde narkotike kanabis, e ndarë në doza gati për shitje. Sipas hetimeve, 31-vjeçari siguronte lëndën narkotike, e përgatiste në doza dhe e shpërndante në qytetin e Fierit.
Bazuar në provat e siguruara, Gjykata e Fierit ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme.




