Trump shpall bordin drejtues për Rripin e Gazës, mes tyre Tony Blair dhe ftesë për Edi Ramën dhe Erdoğan

Presidenti amerikan Donald Trump ka bërë publike përbërjen e Bordit të Paqes për Rripin e Gazës, një strukturë që pritet të mbikëqyrë procesin e stabilizimit, administrimit dhe rindërtimit të Gazës pas përfundimit të konfliktit.
Në këtë bord janë ftuar figura të njohura ndërkombëtare nga politika, diplomacia dhe financat. Mes emrave kryesorë bëjnë pjesë Tony Blair, ish-kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar, Jared Kushner, dhëndri dhe këshilltari i afërt i Trump, si dhe Marco Rubio, sekretar amerikan i Shtetit. Po ashtu, pjesë e bordit janë Steve Witkoff, i dërguar special i SHBA-së, Marc Rowan, drejtues i një fondi të madh investimesh, dhe Ajay Banga, president i Bankës Botërore.
Sipas burimeve zyrtare, Trump ka dërguar edhe ftesa ndërkombëtare, ku përfshihet kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, i cili është ftuar të bëhet pjesë e bordit si përfaqësues i një vendi aleat dhe kontribues në proceset e paqes. Po ashtu, raportohet se ftesë i është dërguar edhe presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan.
Bordi i Paqes synon të ketë rol kyç në menaxhimin e tranzicionit politik dhe ekonomik në Rripin e Gazës, duke koordinuar ndihmën ndërkombëtare dhe projektet e rindërtimit.




